Forumi Bardheblu

Miresevini ne Forumin Bardheblu!Ketu mund te shkruani mbi sportin dhe cdo gje tjeter.Po ashtu shkruani mendime,sugjerime,te reja etj.

Forumi Bardheblu
Start a New Topic 
Author
Comment
Tirana i rikthehet fitoreve

Tirana nuk fal më. Kampionët në fuqi e kanë nisur fazën e tretë me "fytyrën" që i ka karakterizuar shpeshherë, atë të kampiones. Bardheblutë, në përballjen e parë zyrtare të këtij viti, janë detyruar të udhëtojnë disa kilometra larg kryeqytetit, por megjithatë asgjë nuk i ka penguar të seleksionojnë fitoren e radhës. Në takimin e fundit të javës së parë, djemtë e Starovës kanë mposhtur 2-0 Shkumbinin, duke u dhënë fund disa luhatjeve të çuditshme që hasën në katër ndeshjet e kaluara. Dje, në tapetin e saposhtruar të stadiumit të Fierit, "Loni Papuçiu", ekipit të Starovës i ka mjaftuar vetëm pjesa e parë për t'i dhënë "shuplakën" e radhës Shkumbinit. Dy gola të shënuar në këtë pjesë, një nga Eldorado Merkoçi dhe i fundit nga kapiteni Devi Muka, i kanë mjaftuar Tiranës për një tripikësh, që për momentin konsiderohej shumë i vlefshëm, jo vetëm për trajnerin Starova, por edhe për kreun e klasifikimit. Në fillim të ndeshjes, të dyja skuadrat dukeshin të motivuara për fitore. Kryeqytetasit e nisin më me vrull lojën dhe që në fillim aksionet e tyre kishin theks sulmues, çka linte vend për t'u nënkuptuar se trajneri bardheblu dëshironte ta zgjidhte sa më parë rezultatin në favor të Tiranës. Por si mund të ndodhë ndryshe, kur dihet nga të gjithë se kjo skuadër i ka të tëra kushtet e nevojshme për ta fituar një ndeshje normale të kampionatit? Shkumbini e kishte të pamundur të depërtonte në portën e kryeqytetasve, sepse jo vetëm që përballej me një mesfushë shumë të organizuar të Tiranës, por edhe në mbrojtje duheshin llogaritur lojtarë të kalibrit të tillë, si Geri Çipi. Kështu, Tirana, duke qenë e sigurt në mbrojtje, me dyshen Xhafa-Merkoçi kërkonte me ngulm golin. Ky i fundit, në momentin ideal, pas një asisti të kapitenit Muka, nuk fal portën peqinase. Më tej, miqtë, edhe pse janë përpjekur të rrezikojnë portën e Hidit, nuk kanë mundur dot të shënojnë për të barazuar rezultatin. Shkumbini i është afruar vetëm një herë golit, në një rast me protagonist Stojkun, që goditi shtyllën. Të njëjtën gjë bën më vonë edhe E. Bulku për bardheblutë. Kur fraksionit të parë po i vinte fundi, kapiteni Muka, i cili vazhdimisht ka shkëlqyer gjatë organizimit të lojës, nuk mbetet pas edhe në shënimin e golave, sepse falë klasit të tij, i ka dhënë një "krehje" të dytë Billës, duke e mbyllur shumë herët takimin në favor të bardhebluve. Pas këtij goli, Tirana e qetësoi lojën dhe miqtë dalëngadalë u dorëzuan përballë kryesuesve. Kështu, pjesa e dytë ishte më e mirë për Shkumbinin, që e dominoi lojën, por pa arritur të gjejë hapësira në mbrojtje. Edhe pse jo më shumë emocionuese, pjesa e dytë mbyllet me të njëjtin rezultat si në pjesën e parë. Pra, i tërë takimi mbyllet me një fitore të pastër dhe të merituar të Tiranës, që e ka nisur fazën e tretë me petkun e kampiones, duke qenë se jo vetëm kryeson kampionatin, por mbart në gjirin e saj edhe lojtarë të kalibrit të kombëtares sonë.


Deklaruan....
Sulejman Starova, trajner i Tiranës:
"E kishim vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, sepse përballë kishim një skuadër tepër të fortë. Nga ana tjetër, na duhej shumë fitorja për vetë pozitat e kreut të klasifikimit. Golat e shënuar qysh në pjesën e parë na e lehtësuan punën dhe më tej loja jonë ishte më e thjeshtë. Edhe pse vazhdojmë të jemi vetëm 4 pikë larg nga vendi i dytë, nuk duhet ta humbasim për asnjë çast vigjilencën. Djemtë luajtën të mobilizuar gjatë gjithë ndeshjes. Jam i kënaqur me atë çka dhanë në fushën e lojës."

Agim Canaj, trajner i Shkumbinit:
"Pësuam shumë shpejt dy gola aksidentalë për shkak se ishim të vendosur keq në mbrojtje. Megjithatë, Shkumbini ka luajtur në sulm, në kërkim të golit. Edhe pse ekipi ynë u përpoq deri në minutën e fundit, nuk arritëm dot të shënonim qoftë edhe një gol në portën e Tiranës. Kjo humbje nuk do të na dekurajojë në rrugën e gjatë që kemi përpara. Fundja humbëm me skuadrën më të mirë të kampionatit, Tiranën, prandaj nuk kemi pse ta dramatizojmë situatën. Që në ndeshjen e radhës kam besim se do të rikthehemi te fitorja."

Location/Vendndodhja: Tirane

A ju pelqen kjo faqe? Po