Forumi Bardheblu

Miresevini ne Forumin Bardheblu!Ketu mund te shkruani mbi sportin dhe cdo gje tjeter.Po ashtu shkruani mendime,sugjerime,te reja etj.

Forumi Bardheblu
Start a New Topic 
Author
Comment
Kampionet humbasin 2 pike brenda 1 minuti (SK Tirana-KF Elbasani 2-2)

Në "Qemal Stafa" supersfida e dy kryesuesve të kampionatit mbyllet në baraspeshë
19-12-2004
Elbasani, "dy herë mat" Tiranën

Aranit MURAÇI

Supersfida e javës së 17-të, Elbasani-Tirana dhuron atë që pritej, spektakël, gola, përmbysje rezultati dhe emocione deri në sekondën e fundit. Përplasja e të parës me të dytën sollën në fund një barazim 2-2, që për nga loja e të dyja skuadrave ishte pak a shumë rezultati më i drejtë në fushë. Një barazim që mbi gjithçka tjetër i lë "dyert" e hapura për titullin kampion, sepse në të kundërt, Tiranës i duhej të luante në pjesën e mbetur të kampionatit me veten e saj. Sidoqoftë, në arenën ndërkombëtare të "Qemal Stafës", edhe pse ndeshja filloi në një terren të rënduar nga shiu, dy më të mirat e ligës superiore treguan edhe një herë me atë çka dhanë në fushë se jo më kot qëndrojnë në krye të klasifikimit. Bardheblutë, nisur nga diferenca prej 7 pikësh që kishin krijuar para takimit me elbasanasit, e nisën lojën më të qetë. Ndërkohë, miqtë ishin më ngacmues. Por që në fillim, pas një goditjeje të saktë me kokë, Indrit Fortuzi i ndëshkon befasisht ata. Goli solli edhe më shumë rivalitet për më tej dhe, në një "water-pool" të vërtetë, dyluftimet e ashpra mes futbollistëve në të tri repartate e fushës ishin një spektakël më vete. Fraksioni i parë mbyllet me epërsinë e djemve të Strovës. Në 45-minutëshin e dytë, kombinimi i saktë Muka-Fortuzi solli golin e dytë. Dhe u duk se Elbasanit këtu i shteruan fuqitë. Por gjithçka që kampionët në fuqi e gatuan në 60 minuta lojë, portokallinjtë e përmbysën brenda 2 minutave. Pasi shkurton Bejzade, Nevil Dede, një ndër më të mirët në fushë, ndëshkon ish-ekipin e tij. Tirana, më pas, e humbi kontrollin e mesfushës dhe Elbasani ishte më i qartë deri në fundin e lojës. Zëvendësimet e Starovës nuk sollën ndonjë efekt te bardheblutë. Fërshëllima e fundit e Velçanit u dha fund përpjekjeve të të dyja skuadrave, duke e mbyllur në baraspeshë takimin më të rëndësishëm të fazës së dytë të këtij kampionati.

Deklaruan...
Sulejman Starova, trajner i Tiranës:
"Jam i kënaqur në përgjithësi me lojën e bukur që zhvilluan dy ekipet në fushë. E prisnim rivalitetin me Elbasanin, aq më tepër që pas ndeshjes me Teutën nuk e kishim kohën e mjaftueshme për të bërë përgatitjen e duhur. Mendoj se rezultatin e sotëm e përcaktuan episodet e ndeshjes. Ne ishim në epërsi të dy golave, por gabimi i Hidit, siç u ndodh të gjithëve të gabojnë, si dhe një gol tjetër i shpejtë i elbasanasve baraspeshuan gjithçka. Megjithatë, Tirana, edhe pas këtij barazimi, mbetet në krye. Ne ruajmë sërish diferencën prej 7 pikësh me vendin e dytë. Tani është koha të mendojmë për derbin me Dinamon."

Artan Bushati, trajner i Elbasanit:
"Jam i kënaqur nga loja e ekipit. Në një terren të vështirë, Elbasani tregoi për 90 minuta shpirt të lartë gare. Njëkohësisht, edhe pse përballë kishim një Tiranë, që kryeson prej shumë javësh kampionatin, arritëm t'i shkëpusim me meritë të plotë një pikë shumë të vlefshme. Nëse Tirana do ta fitonte takimin, objektivi ynë ndoshta do të ndërlikohej për më tej. Pas këtij barazimi mendoj se rruga drejt titullit mbetet e hapur për Elbasanin, kështu që do të tentojmë deri në javën e fundit të kampionatit."

Të veçanta...
- Në tribunën "VIP" për të parë sfidën Tirana-Elbasani ishte edhe kampioni i botës në peshëngritje, Luan Shabani.
- Në tribunën "VIP" ishin të pranishëm të gjithë donatorët e Tiranës, si dhe presidenti i Elbasanit.
- Kryebashkiaku Rama si dhe shumë figura të politikës së majtë e të djathtë nuk i munguan këtij takimi interesant.
- Tifozë të shumtë përkrahën në shkallët e stadiumit dy ekipet respektive. Edhe pse gjatë pjesës së parë binte shi, në stadiumin "Qemal Stafa" kishin ardhur më shumë tifozë nga Elbasani se ç'ishin nga kryeqyteti.
- Gjatë pjesës së dytë, Elbasani dhe një pjesë e lojtarëve të Tiranës i ndërruan uniformat për shkak të shiut.

Location/Vendndodhja: Tirane

A ju pelqen kjo faqe? Po