Forumi Bardheblu

Miresevini ne Forumin Bardheblu!Ketu mund te shkruani mbi sportin dhe cdo gje tjeter.Po ashtu shkruani mendime,sugjerime,te reja etj.

Forumi Bardheblu
Start a New Topic 
Author
Comment
SK Tirana-FK Partizani 3-3

Skuadra e Sulejman Memës, dikur idhull bardheblu, i rezistoi me fanatizëm kryesueses dhe kampiones në fuqi, Tiranës, të drejtuar për koincidencë nga një ish-idhull i kuq, Sulejman Starova. Themi i rezistoi, sepse barazoi një ndeshje që kishte marrë të tatëpjetën për të, edhe pse e ka gjetur golin e epërsisë momentale që në minutën e dytë të ndeshjes. E nëse të dy kampet mund të mos kenë mbetur edhe aq të kënaqura nga rezultati i derbit, ai i mbrëmshmi i ka pasur të gjitha brenda. Luftën e fortë sportive, ankthin, emocionin, intrigën, enigmën dhe gjithçka tjetër që dhuron ky sport i magjishëm. Ky "mister" i ka kaluar mbrëmë caqet e fushës së blertë, ku zakonisht fillon e mbaron gjithçka e kësaj loje në kampionatin tonë, sepse "Qemal Stafa" ka mbajtur mbi supe dy tifozeri tepër të zjarrta, të konsiderueshme në numër, që i kanë dhënë bukurinë e duhur një derbi si ky, mes Tiranës dhe Partizanit, dy skuadrave me emër dhe traditë të pasur në futbollin shqiptar. Pra, nëse skuadrat kanë ndarë nga një pikë mes tyre, i fituar ka dalë mbrëmë futbolli shqiptar, publiku që u dynd në stadium dhe krijoi atë koreografi që jemi mësuar ta shohim vetëm kur luan kombëtarja jonë. Pra, shumë rrallë. E thënë shkurt, Tirana dhe Partizani, me atë që kanë shpalosur në derbin e 118-të mes tyre, kanë rikujtuar për të gjithë se edhe në Shqipëri luhet futboll, madje edhe i bukur. Veç kësaj, 90-minutëshi i mbrëmshëm, që për nga vlerat i ka dhënë "Qemal Stafës" ato ngjyrat e 4 shtatorit, kur kuqezinjtë mposhtnin kampionët e Europës, ka treguar se kur bëhet fjalë për derbi, kur bëhet fjalë për ballafaqime mes Tiranës dhe Partizanit, distanca në pikë dhe ecuria tepër pozitive e njërës palë (privilegje të bardhebluve kësaj here) nuk hyn fare në punë. Fanellat dhe historiku janë të tilla, që kushtëzojnë triumfin e grintës sportive, të egos së futbollistëve në fushë, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo jo. Dhe kjo "lexohet" qartë në kronikën e këtij ballafaqimi që i ka mbajtur me zemër të ngrirë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit të gjithë të pranishmit në ndërkombëtarin tonë, mes të cilëve edhe pushtetarë, përfaqësues të trupave të huaja diplomatike, biznesmenë, njerëz të sportit. Ka qenë pikërisht grinta e bardhebluve ajo që e ka kthyer rezultatin e fiksuar që në minutën e dytë, 1-0 për të kuqtë, në favor të Tiranës së pathyeshme, madje duke shënuar deri në 3 gola, njëri më i bukur se tjetri.
Por "befasia" e derbit të mbrëmshëm nuk ka mbaruar këtu. Skuadra e Partizanit ka besuar deri në fund, duke arritur të baraspeshojë gjithçka. Të besuarit e Sulejman Memës kanë frenuar "Big"-ët e Sulejman Starovës, gjë të cilën s'e kishte bërë askush tjetër, përveç Elbasanit një herë, që mbrëmë ka fërkuar duart. Doemos, të kuqtë kanë festuar për këtë barazim, ndërsa bardheblutë mund të kenë provuar shije tjetër. E sigurt është që trajneri Sulejman Starova është ndier keq. E ka pasur ndeshjen në duar, por të tijtë në fushë ia kanë "interpretuar" mbase gabim. Atë që s'ia kanë bërë dhuratë "milionerët" që drejton, ia kanë dhuruar të kuqtë, një ditë para përvjetorit të tij të 49-të të lindjes. Sidoqoftë, të marra së bashku, të dyja skuadrat e kanë kthyer temperaturën e ftohtë të këtij fundviti në shumë të nxehtë për sportdashësit e pranishëm në "Qemal Stafa", i mbushur si asnjëherë tjetër në këtë kampionat. E parë në këtë këndvështrim, tej kuadratit të blertë dhe asaj çka dhuruan futbollistët në fushë, "shfaqja" e mbrëmshme duhet konsideruar vërtet një fitore e madhe e futbollit shqiptar. Pavarësisht, nëse strategjitë e të dy trajnerëve funksionuan mirë apo jo, terreni i elektrizuar nga tifozeritë e zjarrta të të dyja skuadrave, që kishin mbushur shkallët e ndërkombëtarit tonë, na ka mbushur me shpresë se gara kombëtare e këtij sporti ka hyrë vërtet në një etapë të rëndësishme, se futboll luhet edhe në Shqipëri, jo vetëm me ngjyrat kuqezi. Mbrëmë në derbi, fitoi futbolli...

Location/Vendndodhja: Tirane

A ju pelqen kjo faqe? Po